
Paketa e financimit e mbështetur nga BE-ja do të ofrojë përkrahje për amvisëri, NVM dhe biznese të udhëhequra nga gratë. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka siguruar një paketë financimi deri në 21 milionë euro për TEB Bankën Kosovë për zgjerim të qasjes në financim të gjelbër, digjital dhe gjithëpërfshirës në Kosovë.
Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori Menaxhues i TEB Bankës, Cihan Yilmaz, zëvendës Drejtori Menaxhues Deniz Tor, dhe Sergiy Maslichenko Kryesuesi i BERZH në Kosovë.
Ky financim do t’u mundësojë amvisërive dhe bizneseve të investojnë për zgjidhje me efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtërishme, ndërkohë që do t’u ndihmojë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) të adoptojnë teknologji të gjelbra, të digjitalizojnë operacionet dhe të fusin në përdorim procese të automatizuara. Gjithashtu, do të rrisë qasjen në financa dhe njohuri për bizneset e udhëhequra nga gratë.
Cihan Yilmaz, Drejtor Menaxhues i TEB Banka, u shpreh se: “Në TEB Banka Kosovë, jemi të përkushtuar ndaj mbështetjes së rritjes së qëndrueshme dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës. Kjo paketë e re financimi me BERZH-in përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të ndihmuar në uljen e kostove të energjisë, për t’u mundësuar bizneseve të investojnë në transformim të gjelbër dhe digjital, si dhe për ta forcuar më tej mbështetjen për gratë ndërmarrëse. Ne besojmë se investimet në qëndrueshmëri, digjitalizim dhe gjithëpërfshirje janë esenciale për zhvillimin ekonomik afatgjatë dhe reziliencën. Si partner i kahershëm i BERZH-it, jemi krenarë që vazhdojmë të kontribuojmë në tranzicionin e Kosovës drejt një ekonomie më të gjelbër, më digjitale dhe më gjithëpërfshirëse, duke krijuar mundësi të reja për rritje dhe sukses për klientët tanë në të gjithë sektorët.”
TEB, Bankë për një botë në lëvizje!



