TEB organizoi diskutimin me temën “Qasja në Financa për Gratë Ndërmarrëse
Përfaqësues shtetëror, të institucioneve ndërkombëtare e vendore bashkë me përfaqësues të Bankës TEB kanë diskutuar për financimin e aktiviteteve afariste të Grave ndërmarrëse duke shënuar Javën Ndërkombëtare të Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Week).
Panelistët e diskutimit të organizuar nga Banka TEB u pajtuan se duhet të krijohet një strategji e përbashkët me të gjithë akterët, në menyrë që ndikimi i secilit program apo institucion të shumëfishohet.
Zëvendës Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti vuri theks tek Pakoja e Rimëkëmbjes ekonomike, duke shpjegur detaje në lidhje me instrumentin e ri financiar për bizneset e grave. “Ministria do të ofrojë mundësinë e subvencionit deri në 20 % te vlerës së Kredisë për të gjitha bizneset e grave, me idenë që kjo të shërbejë si shtysë për zgjerimin e aktivitetit të tyre ekonomike”, tha Kapiti.
Leonora Kusari, koordinatore rajonale te Banka Evropiane për Rindertim dhe Zhvillim (BERZH) foli për eksperiencat e BERZH. “Kemi kombinuar një program, që ofron shërbime financiare dhe jofinanciare. E para është ofrimi i linjave kreditore tek bankat komerciale për t’i mundësuar grave në biznes qasje në financa dhe shumë aspekte të tjera për të ardhur deri te zhvillimi i biznesit si mbajtja e trajnimeve të ndryshime për rritjen e kapaciteteve menaxhuese”, tha ajo.
Drejtoresha e OJQ “Kosova - Women 4 Women”, Iliriana Gashi foli për përvojat fillestare të programeve të tyre. “Iniciativat e para që filluan, nuk kishin objektiv kryesore ndërmarrësinë. Ne i filluam ato si mundësi për pavarësim ekonomik të grupeve të margjinalizuara të femrave. Si rrjedhojë e kësaj, kemi parë që ato kanë filluar të mendojnë për të hapur biznese dhe ne i kemi përkrahur ato me grante e një rrjet bashkëpunimi”.
Nora Arifi, menaxhere e lartë e garancioneve te Fondi Kosovar për Garanci Kreditore foli për Gratë në biznes. “Nëpërmjet dritares së Grave në Biznes, që erdhi në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike, portfolio e kredive të garantuara të biznesve të grave nga fondi ynë është rritur nga fillimi i vitit 2021. Në fillim të vitit, vetëm 12% e kredive të garantuara ishin për gratë ndërmarrëse, ndërsa tash janë 14%”, tha ajo.
Zëvendës Drejtor Menaxhues i Bankës TEB, Dren Krypa foli për fillet e Programit të Grave ndërmarrëse dhe për hapat e mëtutjeshëm. “Në vitin 2014, TEB-i bëri një zotim të guximshëm për të mbështetur gratë në Kosovë që po fillonin dhe drejtonin bizneset e tyre”, tha ai.
“Ky program përbëhet nga dy shtylla kryesore: Qasja në Kapital dhe Qasja në Mentorim. Si rezultat i këtyre iniciativave deri më tani janë financuar mbi 1300 Gra ndërmarrëse, në mesin e tyre edhe biznese Start-up në shumë totale prej 45 milion euro kredi, të cilat kanë dhënë impakt të rëndësishëm në përforcimin e rolit të gruas ndërmarrëse në Kosovë”, tha Krypa.
TEB Bankë për një botë në lëvizje!