TEB vazhdon mbështetjen për Ekipet Kombëtare të Basketbollit të Kosovës

Banka TEB Sh.A. dhe Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) kanë rinovuar marrëveshjen e sponsorizimit për një vit tjetër, duke vazhduar bashkëpunimin e tyre në mbështetje të ekipeve kombëtare të basketbollit të Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori Menaxhues i TEB Sh.A., Cihan Yilmaz, dhe Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, duke konfirmuar përkushtimin e përbashkët për zhvillimin e basketbollit dhe avancimin e përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Përmes kësaj marrëveshjeje, TEB do të vazhdojë të jetë partner i ekipeve kombëtare të Kosovës në basketboll, duke mbështetur aktivitetet dhe angazhimet e tyre në garat ndërkombëtare, si dhe përgatitjet e vazhdueshme të sportistëve që përfaqësojnë vendin.

Me këtë rast, Drejtori Menaxhues, Cihan Yilmaz, tha: “Në TEB besojmë se sporti ka fuqinë të bashkojë njerëzit dhe të frymëzojë gjeneratat e reja. Jemi krenarë që vazhdojmë të mbështesim ekipet kombëtare të basketbollit të Kosovës, të cilat me përkushtimin përfaqësojnë denjësisht vendin në skenën ndërkombëtare. Ky partneritet pasqyron angazhimin tonë për të investuar në të rinjtë, sportin dhe komunitetin.”

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu u shpreh:

"Është kënaqësi e veçantë për ne që po vazhdojmë rrugëtimin me TEB Bank, partnerin tonë që na ka qëndruar pranë për më shumë se një dekadë. Gjatë kësaj kohe, na ka bashkuar përkushtimi ndaj basketbollit të Kosovës dhe dëshira për ta avancuar atë. Ky është një raport që është ndërtuar dhe forcuar ndër vite, andaj në emër të gjithë komunitetit të basketbollit të Kosovës, dua të shpreh mirënjohjen tonë për këtë përkrahje të vazhdueshme. Jemi krenarë që në fanellat e Përfaqësueseve tona do të vazhdojmë ta mbajmë logon e partnerit tonë më jetëgjatë."

Si një institucion financiar i përkushtuar ndaj zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë, TEB vazhdon të investojë në projekte që promovojnë edukimin, kulturën dhe sportin, duke kontribuar në krijimin e mundësive të reja për të rinjtë dhe në forcimin e vlerave pozitive në komunitet.

TEB, Bankë për një botë në lëvizje!