TEB Bank i bashkohet Rrjetit CSR Kosova

TEB SH.A i bashkohet Rrjetit CSR Kosova — Duke avancuar biznesin e përgjegjshëm dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Rrjeti CSR Kosova ka kënaqësinë të mirëpresë TEB SH.A si anëtarin më të ri, duke forcuar përkushtimin e përbashkët për të promovuar qëndrueshmërinë dhe praktikat e përgjegjshme të biznesit në sektorin privat në Kosovë.

Si një bankë komerciale e mbështetur nga fuqia dhe ekspertiza ndërkombëtare e BNP Paribas, TEB SH.A sjell njohuri të vlefshme dhe një perspektivë globale në këtë rrjet.

Duke komentuar këtë moment të rëndësishëm, z. Agron Gashi, Zevendes Drejtor Menaxhues i TEB SH.A, theksoi “Ne besojmë se rritja e qëndrueshme është e mundur vetëm nëpërmjet përgjegjësisë ndaj komuniteteve që ne i shërbejmë. Anëtarësimi ynë në Rrjetin për CSR në Kosovë është një pasqyrim i përkushtimit tonë për të integruar parimet e mjedisit, shoqërisë dhe qeverisjes #ESG në çdo veprimtari — duke kontribuar jo vetëm në suksesin e biznesit tonë, por edhe në mirëqenien dhe të ardhmen e shoqërisë.”

Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit CSR Kosova, Zana Bajrami Rama theksoi “Jemi të lumtur të mirëpresim TEB SH.A në rrjetin tonë. Prania e tyre jo vetëm që forcon zërin tonë të përbashkët, por gjithashtu thekson rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të sektorit bankar në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë”.

Me këtë partneritet, TEB SH.A bëhet pjesë e një komuniteti dinamik të kompanive dhe organizatave të përkushtuara për të sjellë ndryshim pozitiv. Anëtarësimi i TEB nënvizon rolin thelbësor që institucionet financiare luajnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të përgjegjshme për Kosovën.

TEB, Bankë për një botë në lëvizje!