TEB dhe Federata e Futbollit të Kosovës vazhdojnë partneritetin

TEB Banka ka rinovuar për edhe një vit marrëveshjen e sponsorizimit me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), duke vazhduar një bashkëpunim të suksesshëm që tashmë ka kaluar një dekadë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori Menaxhues i TEB Bankës, Cihan Yilmaz, dhe Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për zhvillimin e futbollit kosovar dhe mbështetjen e talenteve që përfaqësojnë vendin tonë në skenën ndërkombëtare.

Me rinovimin e kësaj marrëveshjeje, TEB Banka vazhdon të jetë sponsor i Ekipit Kombëtar të Kosovës në futboll, duke konfirmuar përkushtimin e saj afatgjatë për zhvillimin e sportit në vend dhe mbështetjen e futbollistëve që përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Me këtë rast, Drejtori Menaxhues i TEB Bankës, Cihan Yilmaz, u shpreh: “Jemi krenarë që po e vazhdojmë bashkëpunimin tonë me Federatën e Futbollit të Kosovës edhe për një vit tjetër. Ky partneritet mbi dhjetëvjeçar është dëshmi e besimit tonë në sportin kosovar dhe në potencialin e jashtëzakonshëm të futbollit të Kosovës”.

“Si sponsor i Ekipit Kombëtar të Kosovës në futboll, TEB Banka ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pranë futbollistëve tanë në rrugëtimin e tyre drejt sukseseve të reja. Arritjet e deritanishme na bëjnë krenarë dhe na japin besim se futbolli kosovar do të vazhdojë të shënojë rezultate të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Ne mbetemi të përkushtuar që, përmes investimeve tona në sport, të kontribuojmë në zhvillimin e talenteve të reja dhe në forcimin e krenarisë kombëtare.” Presidenti i Federatës së futbollit të Kosovës, Agim Ademi vlerësoi bashkëpunimin e ndërtuar ndër vite. “Vazhdimi i partneritetit me TEB Bankën është një dëshmi e besimit të ndërsjellë dhe e bashkëpunimit të qëndrueshëm që kemi ndërtuar ndër vite. Për më shumë se një dekadë, TEB Banka ka qenë një partner i rëndësishëm strategjik i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe një mbështetës i fuqishëm i futbollit tone, duke qenë pjesë e rrugëtimit të Ekipit Kombëtar, sfidave dhe sukseseve të futbollit Kosovar”.

“Partneritete të tilla afatgjata kanë një rëndësi të veçantë për ne, sepse përtej mbështetjes financiare, ato përfaqësojnë besim në vizionin tonë për zhvillimin e futbollit, fuqizimin dhe krijimin e mundësive të reja për gjeneratat e ardhshme. Jam i bindur se, me partnerë të dëshmuar si TEB Banka, do të vazhdojmë të ndërtojmë mbi arritjet e deritanishme dhe të synojmë suksese edhe më të mëdha në arenën ndërkombëtare. Falënderojmë TEB Bankën që vazhdon të besojë në futbollin e Kosovës dhe të jetë pjesë e historisë sonë të përbashkët të suksesit”.

TEB Banka mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që krijojnë vlerë për komunitetin dhe kontribuojnë në zhvillimin e sportit, kulturës dhe shoqërisë në Kosovë. Partneriteti me FFK-në përfaqëson një nga bashkëpunimet më afatgjata dhe më të rëndësishme të bankës në fushën e sportit, me synimin e përbashkët për të arritur suksese edhe më të mëdha në vitet që vijnë.

TEB Bankë për një botë në lëvizje!