TEB dhe FKGK nënshkruajnë marrëveshjen për “Depozitën e Gjelbër”
Banka TEB dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e instrumentit të ri financiar “Depozita e Gjelbër”, një iniciativë inovative që synon të mbështesë financimin e investimeve të qëndrueshme nga bizneset dhe të përshpejtojë tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër në Kosovë.
Marrëveshja me TEB Bank përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e zbatimit të instrumentit “Depozita e Gjelbër” dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet FKGK-së dhe sektorit bankar në mbështetje të investimeve të qëndrueshme. Instrumenti synon të krijojë më shumë mundësi financimi për bizneset që investojnë në zgjidhje të gjelbra dhe të kontribuojë në forcimin e ekosistemit të financave të gjelbra në Kosovë.
Përmes “Depozitës së Gjelbër”, FKGK plotëson mekanizmat ekzistues të mbështetjes së financimit me një instrument shtesë. Kështu, instrumenti synon të nxisë përdorimin më strategjik të kapitalit dhe të mbështesë një rol më aktiv të institucioneve financiare në financimin e tranzicionit të gjelbër.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, përfaqësuesit e FKGK-së dhe TEB Bank theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në krijimin e mundësive të reja financiare për bizneset dhe në mbështetjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
“Depozita e Gjelbër” është konceptuar për të ofruar një mekanizëm transparent dhe të besueshëm për financimin e investimeve të gjelbra, duke siguruar që fondet e dedikuara të përdoren vetëm për aktivitete që përmbushin kriteret e përcaktuara të qëndrueshmërisë dhe duke kontribuar në shmangien e praktikave të greenwashing-ut.
Deklarata e Drejtorit Menaxhues të FKGK-së, Besnik Berisha:
“Lansimi i instrumentit ‘Depozita e Gjelbër’ përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet tona për të avancuar financat e gjelbra në Kosovë. Përmes kësaj marrëveshjeje me TEB Bank, po krijojmë një mekanizëm konkret që lidh drejtpërdrejt burimet financiare me investimet që gjenerojnë përfitime mjedisore dhe ekonomike afatgjata. Kjo iniciativë mbështetet gjithashtu nga Projekti “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë” (GPEK), i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i implementuar nga Helvetas, i cili promovon investimet e gjelbra dhe adoptimin e praktikave të qëndrueshme nga bizneset kosovare.
Në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore besojmë se tranzicioni drejt një ekonomie më të qëndrueshme kërkon jo vetëm vullnet, por edhe instrumente financiare inovative që i mundësojnë sektorit privat të investojë në teknologji dhe praktika më të gjelbra. ‘Depozita e Gjelbër’ është pikërisht një instrument i tillë, i cili jo vetëm që mbështet investimet e qëndrueshme, por gjithashtu forcon rolin e sektorit financiar në adresimin e sfidave klimatike dhe mjedisore.
Jemi të kënaqur që TEB Bank është bankë partnere e këtij instrumenti dhe besojmë se ky bashkëpunim do të shërbejë si një model i suksesshëm për zgjerimin e mëtejshëm të financave të gjelbra në Kosovë. Së bashku po ndërtojmë një ekosistem financiar më të qëndrueshëm, më inovativ dhe më të orientuar drejt zhvillimit afatgjatë të vendit.”
Deklarata e Drejtorit Menaxhues të TEB Bank, Cihan Yilmaz:
“Në TEB Bank, qëndrueshmëria është një nga shtyllat kryesore të strategjisë sonë afatgjatë dhe një element thelbësor i mënyrës se si e mbështesim zhvillimin ekonomik të Kosovës. Jemi të kënaqur të bashkëpunojmë me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore në zbatimin e instrumentit inovativ ‘Depozita e Gjelbër’, i cili do t’u ofrojë bizneseve qasje më të lehtë në financim për investime që krijojnë vlerë afatgjatë ekonomike dhe mjedisore.
Kjo marrëveshje përforcon përkushtimin tonë për të mbështetur klientët tanë në tranzicionin drejt modeleve më të qëndrueshme të biznesit, duke financuar projekte që kontribuojnë në efikasitetin e energjisë, përdorimin e burimeve të ripërtëritshme dhe reduktimin e ndikimit mjedisor.
Besojmë se sektori bankar ka një rol kyç në nxitjen e transformimit të gjelbër të ekonomisë dhe se partneritetet si ky janë thelbësore për krijimin e një ekosistemi financiar modern, të përgjegjshëm dhe të orientuar drejt së ardhmes. Falënderojmë FKGK-në për bashkëpunimin dhe jemi të bindur se kjo iniciativë do të sjellë përfitime të prekshme për bizneset kosovare dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.”